Historia e pazakontë e spikeres së Tv Klan: Sapo më shpërthyen ujërat, mora avionin për në Itali

Nëse mund të quani guxim ndonjë gjë në jetë, mos e bëni më para se të mësoni historinë e Anjola Hamzajt. Spikerja e njohur e Tv Klan ka disa muaj që ka sjellë në jetë binjakët Emma dhe Luis. Por jo si të gjitha nënat dhe as si nënat e binjakëve…

Kur mësoi lajmin se ishte në pritje të ëmbël, natyrisht u ndie shumë e lumtur, por ndjesitë ishin të shumëfishta kur mësoi se nuk priste një, por dy fëmijë në të njëjtën kohë. Lajmin e pritjes së ëmbël, Anjola e ndau me publikun nga studio e “Rudina” në Tv Klan, ekrani ku ajo punon prej vitesh, dhe po në të njëjtën studio rikthehet pas një periudhe të gjatë rikuperimi pas lindjes së vështirë dhe peripecive të njëpasnjëshme.

Gjithçka mund të keni menduar për guximin dhe forcën e një nëne për fëmijët e saj, por veprimi i Anjolës, më shumë se i guximshëm, mund të konsiderohet “i frikshëm”.

Për të rrëfyer për gjithçka që i ndodhi para lindjes së fëmijëve prematurë, Anjola ishte e ftuar pasditen e sotme në “Rudina”. Siç tha ajo, ishte frika ajo që e shtyu për të marrë avionin drejt Italisë pasi i kishin shpërthyer ujërat e lindjes.

“… Rrugës për te doktori, ndjeva ujërat që plasën dhe në vizitë, në një farë mënyre, u la të kuptohej që fëmijët ishin shumë të vegjël për të bërë një lindje këtu te materniteti ynë dhe, nga frika, ashtu siç isha, mora avionin dhe ika në Itali…”, – tha Anjola duke shtuar se gjendja ishte vërtet kritike, edhe pse ajo u mundua ta fshehë për të mos rrezikuar fluturimin.

“Mund të kisha lindur edhe në avion, sepse kur shkova në Itali, doktorët më thanë se është e vërtetë që nga momenti që plasin ujërat, duhen 48 orë kohë për të lindur, por lindja mund të ndodhë edhe për 30 minuta, mund të ndodhë shumë shpejt…” – rrëfen Anjola duke shoqëruar çdo detaj me buzëqeshjen e saj të ëmbël pasi kujton çdo peripeci të asaj dite.

“Disa e kanë quajtur guxim prej budallai, të çmendur, disa të tjerë nga fakti që nuk kisha një mjek me vete dhe ishte rrisk më vete, por në ato momente nuk mendon shumë, mendon thjesht të shpëtojnë fëmijët, sepse atje dihet, është një repart më i specializuar dhe ashtu rezultoi në fakt…”

Për çudinë e të gjithëve, ajo ishte një ditë e vakët edhe për avionët drejt Italisë. I vetmi që nisej rreth orës 17.00 ishte drejt Barit. Nga ana tjetër, edhe aeroporti nuk ishte një vend më komod, përkundrazi. Anjolës i duhej të qëndronte gjithmonë ulur për të mos provokuar shpërthime të tjera të ujërave: “Ndihem me fat, në fatkeqësi ndihem me fat, edhe pse e gjithë rruga kishte edhe atë ankthin e vet”, – shton më tutje Anjola. Ishte e bindur që atë ditë do të lindte, edhe pse shpresonte që bebet të qëndronin sa më gjatë në barkun e saj.

Ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, por ishte e pamundur që Emma dhe Luis të qëndronin edhe disa javë në bark. Lindja cezariane nuk ishte asgjë para torturës që Anjola përjetoi pas lindjes. Për më shumë se dy muaj, binjakët duhet të rrinin në inkubator dhe Anjola i shikonte vetem dy herë në ditë – kjo ishte sfidë më vete, torturuese.

Por ia doli mbanë me të gjitha mënyrat. Edhe vetëm, për disa muaj, ndërsa fëmijët ishin në inkubator për të marrë kohën e tyre. Të afërmit dhe bashkëshorti nuk mund të ishin me Anjolën gjithë kohën, kështu që sfilitëse dhe boshe ishte sidomos koha kur i duhej të rrinte sa pranë, po aq edhe larg binjakëve…

Megjithatë, gjithçka do t’i përkasë së shkuarës tashmë. Peripecitë dhe sfilitja harrohen sa herë Emma dhe Luis qeshin e luajnë me të ëmën. Sa herë ata të dy do ta rrëfejnë historinë e lindjes, me siguri do të shtojnë në çdo detaj guximin e mamit dhe riskun që ajo mori përsipër për t’i sjellë në jetë sa më të shëndetshëm. Po aq sa do të kuptojnë, me vitet, se mami Anjola nuk ka përjetuar kurrë ditë më të lumtur në jetën e saj sa ajo kur ata erdhën në jetë. Sepse frika, dhimbja dhe gëzimi ishin përzier bashkë për të derivuar pikërisht tek ata të dy…

Emma dhe Luis, mirë se erdhët!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *